“Peshqit e mëdhenj nuk notojnë në akuarium të vogël” ose mishmashi i zhanrit

-për filmin PRANVERË E PAHARRUAR NË FSHATIN E HARRUAR

Regjia: Kushtrim Bekteshi

              Mendoj se të gjithë jemi të pajtimit se është nevojë e patjetërsueshme si uji, të kemi doza humori në jetën tonë të përditshme. Njashtu, ka nevojë të madhe për të krijuar filma që përcaktohen edhe sipas zhanrit të jenë komedi. Por, çfarë është ajo që ne e quajmë komedi? Ku janë kufijtë komikes e humorit dhe a ka mundësi të madhe që krejt këto të thyhen e të marrin tjetër kahe gjatë trajtimit filmik?

Përcaktimi dhe shpjegimi i humorit mbetet një sfidë me rreziqe, mjaft e ndërlikuar dhe një çështje potencialisht e pazgjidhshme. “Çdo përpjekje për ta shprehur humorin nëpër mediume të ndryshme është një rrezik për të shkatërruar efektin e tij, sepse është një operacion në të cilin pacienti gjithnjë ‘vdes’…” (Roeckelein 2002, Simpson 2003, Medhurst 2007).        

              Atëherë, si është gjendja kur mëtojmë që komedinë ta artikulojmë përmes një shprehje të veçantë, përkatësisht përmes filmit? Padyshim, përgjigja qëndron në vetë gjuhën filmike dhe rregullat e saj gjatë shprehjes së saj. Për syrin e “trajnuar”, çalimi nga trajektorja komike bëhet menjëherë e dukshme. Syri në këtë rast nuk është vetëm një aparat që përthith e përthyen valët nga jashtë sipas një rendi mekanik, por si qenie me arsye dhe me dilema të shumta, kemi këndvështrimet tona dhe disponojmë me pikëpamje imanente.

* * *

Përmbajtja e shkurtë:

Kamera në planin total dhe gjysmë total zbulon ambient fshati. Jepet qasje e përgjithshme për vendin e hapësirën ku do të zhvillohet ngjarja. Në vazhdim shohim kuadro nga thirrja e ezanit në xhaminë e fshatit, pastaj zgjimi i fëmijëve për në shkollë, prerja e drunjve në oborret e shtëpive. Fshatarët zgjohen për ti kryer obligimet e tyre të përditshme. Kamera na fut me zgjuarsi dhe ngadalë në aktivitetet e përditshme të fshatarëve. Pason një kuadër nga hapja e çajtores së fshatit – ritualit të mëngjesit para se të nis dita. Jepen edhe disa pamje me nxënës që vrapojnë drejt shkollës së fshatit dhe pamje të punës së fshatarëve në ara.

              Jeta e qetë e fshatarëve, thuajse harmonike dhe idilike, do të prishet kur në fshat arrijnë tre prostitute të sjella nga një banor i fshatit. Burrat e fshatit do të jenë vizitorët e përditshëm, duke i lënë fëmijët dhe gratë e tyre të vetmuara. Kafeneja e fshatit që shndërrohet në shtëpi publike, së shpejti i mbledh krejt autoritetet e fshatit, drejtorin e shkollës, kryetarin e komunës dhe thuajse tërë stafin arsimor. Në këtë situatë pësojnë nxënësit që humbin orët mësimore dhe janë lënë në mëshirë të fatit.

Hoxha i fshatit së shpejti merr vesh për rastin dhe nuk i kursen fjalët për tʼua kthyer mendjen fshatarëve, apo ‘xhematit’ të tij, por pa rezultat. Një natë, hoxha dhe gruaja e tij organizojnë mbledhje me gratë e fshatit dhe sjellin vendim që ti dëbojnë prostitutat nga fshati. Me veglat e punës së bujqësisë në duar, gratë nisen drejt kafenesë. Gratë ia vënë zjarrin objektit dhe i dëbojnë fajtorët prej vendit. Kthimi i jetës në normalitet bëhet i dukshëm.

              Kjo përmbajtje e filmit shërben si material mjaft i pasur për të realizuar një film të suksesshëm komik. Por, jo vetëm përmbajtja, në këtë film, rolet i interpretojnë aktorët e famshëm nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Thamë që filmi në pjesën hyrëse me fotografinë e përkryer filmike, kamerën dhe përzgjedhjen e aktorëve, premton shumë. Ky potencial nuk u shfrytëzua sa duhet deri në fund të filmit. Gjithashtu, do të shtoja se ndjeva mungesë të masës në ruajtjen e kufijve gjatë rrjedhës së ngjarjes. Të jem më konkret, deri në minutën e njëmbëdhjetë të filmit, me sukses u ruajt vija e planifikuar, domethënë dramë me elemente finoke të komedisë.

              Gjegjësisht, momenti i parë komik paraqitet në minutën e gjashtë ku gjatë patronazhit të shkollës arrin kryetari i komunës. Nga xhipi që bën zhurmë të madhe e duke ngrehur pluhur, del aktori i madh i Kosovës, Luan Jaha. Banorët e fshatit e presin me pompozitet ardhjen e tij në ballë me drejtorin e shkollës dhe stafin arsimor. Luan Jaha duke shikuar banorët në sy, bën një gjest duke u kthyer një hap mbrapa (duke mos qenë i sigurt në veprimet e tij dhe duke pasur frikë nga publiku), me çʼrast shkakton të qeshura tek publiku i fshatit. I drejtohet publikut me fjalim të shkruar në letër e me një ritëm të mërzitshëm e të ngadalshëm, duke nxjerrë në pah injorancën e vet.

              Pas mbarimit të ceremonisë, aktori Ndriçim Xhepa, emër i madh në filmin shqiptar, në rolin e drejtorit të shkollës e orienton drejtorin kah tavolina me pije; në tavolinën e pijeve nuk mbetet gjë nga tufa e fëmijëve që e zbrazin rrufeshëm.

              Rreth minutës së nëntë, filmi na njofton me djalin dhe vajzën e fshatit që janë në një lidhje dashurie. Ky tregim paralel i historisë së dy të rinjve të fshatit mbetet deri në fund enigmë. Nuk kristalizohen deri në fund motivet e mospajtimit të prindërve të tyre. Pastaj nuk ka ndonjë rënie e ngritje në lidhjen e tyre dhe mbetet një tepricë që ngarkon narracionin filmik. Dialogu i tyre nuk përmban batuta, por rrjedh një bisedë e natyrshme sikur jashtë zhanrit komik, kurse në fytyrat e tyre shohim më tepër brenga dhe nuk pësojnë ngritje deri në fund të filmit. Megjithatë, deri këtu filmi i ka karakteristikat e dramës me momente të harmonizuara komike.

              Në minutën e njëmbëdhjetë, përkatësisht në enterierin e sallës së arsimtarëve, dialogu komik kalon në banalitet. Biseda mes drejtorit të shkollës dhe kryetarit të komunës, nuk bën për të qeshur, por habit dhe trondit. Është absurde dhe paradoksale që në takim të parë një kryetar komune tʼi drejtohet drejtorit të shkollës me pyetje intime, të llojit: “a po kryen marrëdhënie më shpesh?!”, (parafrazoj të folurit e personazhit) si përgjigje ndaj pyetjes së drejtorit për të shikuar mundësitë e investimit në shkollë.

Kjo skenë ka mundur të zhvillohet në mënyrë tjetër, që të jetë më e besueshme, më reale dhe më e pranueshme te recipienti.

Mospërputhjet e tilla, do të thosha edhe mospërputhje logjike, janë dominuese gjatë tërë narracionit, kurse humori në të është mjaft problematik për tu kuptuar. Kuptohet, në disa raste disharmonia është e domosdoshme për të ngjallë të papritura, por shikuesi (recipienti) në këtë mënyrë humori kërkon zgjidhje kognitive (njohëse), që të mundet ta shpjegojë habinë e tij. Kjo qasje ndaj humorit kërkon kontekst të diskursit në të cilin paraqitet.

              Humori në asnjë rast nuk duhet të jetë jashtë kufijve kognitiv të recipientit. Sipas teorisë së Pallmerit “Logjika e absurdit” (J. Palmer, 1987), “ngjarja duhet të jetë absurde që të ngjall habi, befasi, qeshje, por nuk duhet të jetë krejtësisht absurde dhe krejtësisht e paqartë, që të mundet të jetë e kuptueshme dhe e pranueshme”. Me fjalë të tjera, disharmonia duhet të jetë e pritshme në mënyrë argëtuese, por edhe e pritshme në mënyrë të kuptueshme.

Mospërputhje, mungesë vërtetësie e besueshmërie hasim edhe në shuma skena të filmit. Sidomos në toposet dominuese të fshatit, fjala bie, në ngjarjet dhe bisedat në oborrin e xhamisë, në çajtoren, kafenenë e fshatit etj.

Kapacitetet e një ambienti të tillë ofrojnë mundësi të shumta për shpërfaqje të një komedie të kulluar, kuptohet, kur dimë se edhe aktorët janë të një niveli të lartë, por me lëshimet e skenarit ky ambient bëhet tejet i ngushtë, e me këtë ngushtohet edhe mundësia për shprehjen e aktorëve.

Luan Jaha me paraqitjen e tij, vërtetë e ka kryer misionin deri në fund, aq sa i është ofruar nga plani i paraparë regjisorial, por edhe dialogu në film ishte dashur të ketë një radiacion më të gjerë. Nga tjetra anë, komedia nuk i dedikohet vetëm një mentaliteti të caktuar apo një grupi të caktuar shoqëror. Aktorët në këtë film iʼa dolën të shpalosin mjaft, bile edhe jashtë mundësive të skenarit, veçanërisht në ambientet e mbyllura, si kafeneja e fshatit.

Filmi zgjat një orë e dyzetepesë minuta. Skenat në enterierin e kafenesë dhe përreth kafenesë zgjasin përafërsisht 45 minuta. Domethënë, 45% të filmit zhvillohen në kafene, kurse 55% jashtë kafenesë.

Ngjarjet në kafene, që po i quaj “akuarium”, kanë marrë shumë hapësirë filmike. Ky akuarium me rrjedhën e filmit do të duhej të rritej në një pishinë të madhe ku mund të notojnë lirshëm aktorët dhe të nxirret në maksimum potenciali i tyre. Por, në këtë ambient dominojnë grindjet mes personazheve, inatet e ndërsjella, garat tipike për të dëshmuar aftësinë e yshtjeve seksuale. Sekuencat në kafene kanë më tepër dinamikë vizuale e kinetike, se sa përmbushje të ambicies artistike.

Theksi i veçantë i vënë në garën e fshatarëve dhe karakteri agresiv në kryerjen e aktit seksual, na shpalos edhe diçka…

Akti seksual që duhet të jetë i karakterit normal e natyror, si gjithkund në botë, këtu merr një dimension tjetër. Mimikat e fytyrave të kapura në planin detaj, sytë e zgurdulluar dhe nofullat në ngërç, pastaj boksat e mbledhur në momentet kur personazhet ndjekin aktin seksual në aktin e parë të kafenesë, shpalosin më shumë për mentalitetin e individit apo një grupi shoqëror të nën qiellit tonë. Në sipërfaqe notojnë nxitjet e thella që shpalosin disa elemente e fenomene psikopatologjike që janë veti e hapësirës Ballkanike; agresioni nuk është prezent vetëm në zgjidhjen e konflikteve të ndërsjella, por edhe gjatë aktit seksual, të “shkatërrohet” tjetri me çdo kusht.

              Me rakurset e larta të kamerës, që vërtetë janë të realizuara me sukses, që dorën në zemër, të pakta janë rastet kur në kinematografinë më të re mund të hasen lëshime sa i përket cilësisë së fotografisë filmike dhe manipulimit me kamerë; nxirren para realitetit të një shoqërie pa perspektivë. Vetë rakursi i lartë i kamerës, edhe sipas gramatikës filmike, gjërave u jep vëmendje të veçantë. Roli informativ i këtij rakursi, mes tjerash, i përgjigjet pyetjes: Çfarë bën masa dhe çfarë shohim nga lart? Marrëdhënia seksuale mes bariut të deleve dhe prostitutës ndiqet nga po ky rakurs. Andaj përshtypja e parë është mbisundimi i një satiriaze e hiperseksualiteti kolektiv.

Gjatë këtyre pamjeve, jepen edhe disa kuadro mjaft tragjike. Për shembull, skena ku tregohet për vdekjen e personazhit Kico, beqari problematik që vdes nga “viagra” të cilën ia fusin në gotën e rakisë; në këtë pjesë trajtohet përmes një vije groteske e satirike…!

* * *

Sa i përket skenave jashtë kafenesë, ato pasqyrojnë familje me shumë fëmijë. Mbisundojnë grindjet e shumta, babai i bërtet fëmijëve, kurse gratë i kryejnë të gjitha punët brenda dhe jashtë shtëpisë. Në interes të ekonomisë së tekstit, këtu i përmenda vetëm disa sekuenca më problematike, apo segmente të filmit. Në një hulumtim edhe më sistematik, këto sekuenca do ti vendosja në një kategori që sipas disa teoriticienëve, bëjnë pjesë në “zhanrin hibrid” apo zhanër i papërcaktuar.

Këtë bindje e bazoj mbi një element të rëndësishëm. Në një skenë, rreth minutës së pesëdhjetë, babi i vajzës me emrin Shpresa fillon grindjet për dhëndrin e ardhshëm e të padëshiruar prej tij. Në tavolinën e kuzhinës ku bëhen grindjet, përskaj babait, gruas dhe vajzës së tij të rritur, ndodhet edhe vajza e vogël që e ndjek këtë situatë. Të gjithë ngrihen nga tavolina, duke e lënë vajzën e tyre të vogël të qëndrojë vetëm. Kamera fokusohet në fytyrën e vajzës së vogël plot 18 sekonda. Ajo rri në mendime dhe është e dëshpëruar, në sytë e saj vërehen lot. Si duket ajo ka kuptuar për babanë e saj që është vizitorë i rregullt i kafenesë që shndërruar në shtëpi publike. Kuadri i gjatë në fytyrën e saj bën pjesë në film e ashtuquajtur “filma të vërtetë”, apo me përmbajtje jo fiktive. Nëse supozojmë se ky film mëton krijimin e një bote imagjinare dhe artistike, atëherë ky kuadër nuk i shërben fare.

Për shkak të fokusimit të gjatë të kamerës në fytyrën e saj, nuk mund të ndiqen  skenat e radhës, sepse qëndrimi i gjatë i kamerës në fytyrën e vogëlushes na mban ende aty. Ky kuadër nxit ngushëllime dhe dhimbje te shikuesi, që nuk duhet të jetë kështu nëpër filmat e zhanrit komedi.

Duke pasur parasysh faktin se në prodhimtarinë tonë filmike janë të rralla zhanret komedi, kritika e filmit dhe publiku presin me padurim diçka më shumë nga ky zhanër.

Viteve të fundit po xhirohen filma kryesisht në bashkëprodhim. Do të duhej të shfrytëzoheshin të gjithë mekanizmat e bashkëprodhimeve, si në planin e organizimit, diskutimeve të ndërsjella dhe ndarjen e përvojave. Këto bashkëpunime nuk duhet të jenë vetëm në deklarata për media, por një proces real me mësime për tu mbajtur mend. Dëshira ime si filmofil, e pastaj edhe si filmolog, është që komedia të trajtohet “seriozisht”, sikur krejt zhanret tjera.

By Admin