Vendet e Ballkanit janë mezi të njohura për prodhime filmash, megjithatë po fitojnë peshën tyre ndonëse me ritëm të ngadalshëm. Specifika e këtyre krijuesve të Ballkanit është ndërlidhja e traditës vendore me historinë e madhe të filmit, e shpeshherë edhe me nënshkrimin autentik e autorial. Në pjesën ku tregohen emrat e realizuesve të filmit, emrat e tyre figurojnë njëkohësisht si regjisorë e skenaristë. Kjo vërtetë sa është e vështirë për një autor, sidomos kur mungon përkrahja institucionale dhe përkrahja e bizneseve private që rrallëherë janë të mjaftueshme për ta përmbyllur projektin ashtu siç e ka projektuar regjisori, aq është e denjë për tʼi kushtuar vëmendje të veçantë e për të diskutuar për to ku të jetë mundësia, pikërisht për shkak frymës origjinale që bartin këto vepra.
Edhe ato pak filma që realizohen, përkatësisht në Maqedoninë e Veriut, prej tyre ka pak filma nga regjisorë e producentë shqiptarë të vendit. Si ndjekës i kinematografisë vendore, mezi pres të shoh një film shqiptar. Të thellohem në tematikën që trajton regjisori shqiptar. Ta shoh për të “tretën herë”, kështu themi ne në Kinotekën e Maqedonisë.
Herën e parë vetëm për ta parë. Herën e dytë, meqë e dimë si do të jetë fundi, tani e kemi mundësinë ta shohim filmin nga distanca, domethënë nuk na marrin emocionet përpara për të na bërë të verbër para shumë elementeve filmike në film, por edhe ato “jo filmike” (kuptohet, nëse ka të tillë).
E herën e tretë e shoh sikur fëmija, që kur i bie në dorë një lodër e re, pasi të ketë lozur me të, e zbërthen në pjesët më të imëta, për të parë nga çfarë është krijuar e si funksionon mekanizmi.
Ende më joshëse bëhet situata kur të jepet mundësia të shikosh një dokumentar cilësor edhe atë të zhanrit që fare nuk është trajtuar nga një dorë shqiptare. Sepse unë të paktën, nuk njoh raste në vendin tonë që një shtëpi produksioni të ketë marrë përsipër trajtimin e një dokumentari kaq të madh, e as ndonjë emër shqiptar të ketë trajtuar në njëfarë mënyre temë biografie të një shqiptari që paska xhiruar filma vestern në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Por ky dokumentar përjetohet edhe si “film për filmin”. Sipas klasifikimit më modern dhe më konkret të stileve të filmit dokumentar nga kritiku i filmit dhe teoreticieni amerikan Bill Nikolls (Bill Nichols), unë në këtë film dokumentar identifikoj më tepër stile, pra si i tillë është shumështresor. Fjala është për dokumentarin me elemente të shumta artistike të zhanrit vestern të regjisorit dhe skenaristit shqiptar, Sabedin Aliu.
Në këtë dokumentar identifikojmë stilin poetik, shpjegues dhe atë participues apo interaktiv. Gjithsesi që në një dokumentar aplikohen këto stile përderisa i shërbejnë në plotësi tematikës dhe realizimit të idesë.
Së këtejmi, është e nevojshme të theksohet vazhdimisht një fakt që edhe filmologët ndonjëherë mund ta harrojnë. Megjithëse i referohet realitetit, filmi dokumentar nuk dallon nga zhanret tjera filmike – ai vetëm vendos një marrëdhënie të ndryshme me realitetin. Nëse filmi fiktiv mund të ketë për personazh kryesor një qenie të mbinatyrshme, filmi dokumentar e ka në qendër njeriun e zakonshëm prej gjaku e dheu. Por me elementet fiktive që mund të përfshihen në të, kuptohet sipas kontekstit, në sytë e tonë ky njeri i zakonshëm ngjall po aq habi sa personazhi i ndonjë filmi me dragonj. Vetëm se këtu bëj një dallim jo aq të vogël, te personazhet e filmave dokumentarë, habia përcillet me një besueshmëri të thellë dhe pranim të plotë te shikuesi, e meqë bëhet fjalë për njeri me identitet real, katarsisi është më i pranishëm.
Andaj, me sekuencat e elementeve të fikcionit, rriten edhe më shumë emocionet futemi në botën intime të Hari Xheksonit. Në vazhdim do të përcjellim disa pjesë të narracionit duke u ndalur në pikat kyçe për ti komentuar nga ana filmologjike.
* * *
Filmi hapet me shfaqjen e fotografisë së një treni në planin kokë (me këtë term kam për qëllim kur kamera e xhiron vetëm objektin në fjalë, krahasimi bëhet me fytyrën e njeriut, i bie sikur kamera ta xhirojë vetëm kokën e njeriut pa treguar gjë nga ambienti përreth). Shoqëruar me uturimën që lëshon treni gjatë lëvizjes në binarë. Pastaj shfaqet një tjetër fotografi e një kauboji i hipur në kalë.
Vazhdojnë kuadrot hyrëse me shfaqjen e emrave të realizuesve të filmit, ndërsa në planin dytësor (profesionalisht njihet me termin “ekspozim i dyfishtë”) shohim figura kaubojësh të vizatuar dhe realë që vështrojnë drejt kamerës.
Kuadrot shoqërohen me muzikë, kuptohet të stilit vestern që na thellon menjëherë në zhanrin që do të trajtohet. Krahas me këto, dëgjojmë hingëllimat e kuajve e zhurmët e mjedisit që paralajmërojnë ardhjen e një stuhie. Në harmoni me situatën aksion, përcjellja muzikore herë fiton në intensitet e herë bie, duke i dhënë garanci e identitet hapësirës ku zhvillohet ngjarja filmike, përkatësisht, duke u bërë pjesëtare e vendit dhe kontekstit.
Emrat dhe titulli i filmit kanë në sfond ngjyrat karakteristike të stilit kauboj që pasqyrojnë ngjyrat e shkretëtirës dhe florës e faunës minimale të ambientin shkretinor.
* * *
Me perspektivën e zogut na shfaqen disa kuadro me pamjet e qytetit të Tetovës, më pas, kamera e vënë në kabinën e një makine na vozit nëpër autostradë. Në mënyrë frontale drejt kamerës na ofrohet shenja që tregon rrugën Tetovë-Ohër. Me disa kuadro tjera që kapin pamjet nga kënde të ndryshme, na bëhet e qartë që gjendemi në qytetin e Tetovës. Vetura vazhdon të lëvizë nëpër rrugët e Tetovës, por tani në makinë shohim shoferin me sheshirin e famshëm “Stetson” në kokë.
Vetura ndalon afër një dyqan berberi. Përsëri kemi një ekspozim të dyfishtë, këtu regjisori ka bërë një gjetje mjaft të bukur për ta pasqyruar dhe për të futur sugjestion tek shikuesi. Kauboji që ishte në veturë, ofrohet drejt dyqanit, kurse në planin parësor shohim dorën e berberit duke mprehur briskun e rrojës.
Kauboji heq sheshirin e tij duke u shikuar në pasqyrën e berberit. Dëgjojmë dialogun e parë ndërmjet berberit dhe kaubojit. Kauboji i vënë në kërkim të Hari Xheksonit e pyet berberin duke e kapur për dore: a je ti nga Poroi? Berberi i përgjigjet në mënyrën pohore. Më pas, pason pyetja shtesë nga kauboji: a e njeh Hari Xheksonin? Berberi përgjigjet: Po, kam dëgjuar se ka bërë filma “kaubojski”, por personalisht nuk e njoh.
Pason një intervistë në enterierin e një dhome nga personi i cili është djalë i dajës së Hari Xheksonit. Personi në cilësinë e të intervistuarit jep detaje për jetën e Hari Xheksonit.
Nga lektisja e madhe për filmat me kaubojë, e ndërron emrin në Hari Xhekson. Hari Xheksoni i ka dy vajza dhe gruan në Berlin të Gjermanisë.
Kur njerëzit flasin para kamerës, ata nuk marrin pyetje nga intervistuesi, e as që përcillet ndonjë kuadro me zërin e narratorit në of-ton, siç jemi mësuar rëndom në filmat me karakter biografik. Ku përskaj njerëzve që hedhin dritë mbi personalitetin, flitet edhe nga narratori në of-ton, apo recitohen pjesë të fjalëve e mendimeve të tij. Këtu gjithçka rrjedh natyrshëm dhe nuk ka shkëputje e shtesa të panevojshmem, apo ndërprerje për ta rikujtuar folësin në ndonjë gjë e për ti sugjeruar diçka.
Kjo metodë e përdorur në realizimin e këtij filmi u mundëson shikuesve të marrin pjesë aktive dhe me lehtësi, pa sforcime e pa redundanca, të kompletojnë mozaikun e madh nga materialet (copëzat) e pakta arkivore dhe gojët e lexuesve që flasin shkoqitur para kamerës.
Pas intervistës së shkurtë me djalin e dajës së Hari Xheksonit, pasojnë kuadrot e lëvizjes së tramvajit. Tani regjisori na shëtit nëpër sheshet e objektet në Berlin të Gjermanisë. Shohim statuja, bulevarde, stacione të tramvajit, rrugë e rrugica të ndryshme të kapura me plane të ndryshme xhirimi.
Përnjëherë, kamera bën kalim në planin kokë me vajzën e Hari Xheksonit në planin bust.
Në vazhdim, intervista me vajzën dhe më pas me gruan e H. Xheksonit, nuk është bërë siç thamë, sipas një skematizimi tradicional. Kjo është një zgjidhje mjaft e spikatur e regjisorit dhe skenaristit Sabidin Aliut. Nuk është e skematizuar nga shkaku se në intervistat me njerëz në filmat dokumentarë, që në fillim të fjalës, poshtë në anën e majtë apo të djathtë të ekranit do të na shfaqeshin emrat e personave që flasin para kamerës. Këtu regjisori nuk na njofton me emrat e tyre dhe raportet që kanë ndërmjet vete folësit. Përkundrazi, emrat e tyre shënohen në fund të filmit kur jepen të dhënat e përgjithshme për pjesëmarrësit në film. Këtu regjisori na zhyt në botën e folësve me krejt shqisat. Gjatë bisedave të tyre, si në rastin kur gruaja dhe vajza e H. Xheksonit flasin në dhomën e shtëpisë, na shpalosen detaje nga jeta e familjes Xhekson. Kjo rrjedh aq natyrshëm saqë nuk të lë për asnjë moment të reagosh në diçka tjetër jashtë filmit. Regjisori i mban dy bashkëbisedueset (nënë e bijë) në kuadrin filmik në planin ameriken. Në kuzhinën e shtëpisë, teksa kohë pas kohe pinë nga një gllënjkë kafe turke, evokojnë kujtimet e shumta (kuptohet se nuk i zbuloj të gjitha) dhe janë të lumtura për ditët e kaluara të fëmijërisë në Bosnje.
Vragë të thellë në shpirt lënë xhirimet e ruajtura me Hari Xheksonin (në gjuhën profesionale i quajmë materiale arkivore). Në pjesët ku bëhet pauzë e shkurtër nga familja e H. Xheksonit dhe bashkëkohësve të tij. Fjala bie, aktorët që kanë luajtur në filmat e H. Xheksonit, intelektualët e vendit dhe figurat tjera të jetës publike në Bosnje, ndërhyjnë xhirimet e ruajtura arkivore me H. Xheksonin tonë. Në kontekst të bisedës, regjisori futet me xhirimet arkivore duke e bërë pjesë të bisedës vetë Harin. Këto ndërhyrje të sakta ku shohim xhirimet me H. Xheksonin, në harmoni me kontekstin e temës, te shikuesit ngjallin emocione të veçanta, sikur të jetë ende në mesin e të gjallëve, sikur ende i orienton aktorët e tij në setin e xhirimeve. Profesioni primar i H. Xheksonit nuk ishte të bërit filma, por të bërit fotografi. E me paratë që i merrte nga kjo punëtori fotografish, i harxhonte të tërat për të realizuar ëndrrën e tij, filmat me kaubojë.
Në këtë pjesë mu kujtuan vëllezërit Manaki, xhiruesit e parë në Ballkan. Edhe ata merreshin me një atelie të tillë, por dashuria e tyre ishte filmi. Por atë që e ndiej shembshëm në shpirt edhe si arkivist i filmit, veprimtaria e Vëllezërve Manaki është e ruajtur (për fat të mirë), e ajo e Hari Xheksonit, jo. Ndonëse Vëllezërit Manaki xhiruan në fillimet e viteve 1905 të shekullit XX. Për këto materiale deshi fati që u kujdes muzeu, memoria kolektive e shtetit, kurse për filmat e Xheksonit nuk ka asnjë informatë, edhe pse xhiroi në shekullin 21.
Ky është tagri që paguan vetmitari, ndjekësi i ëndrrës, shqiponja që nuk njeh asnjë kafaz, edhe po të jetë i arit, ajo e di se nuk është krijuar për të jetuar në kafaz. Esenca e tij është të fluturojë. Vlugu i tij krijues nuk e parashikoi se një ditë zjarri i luftës do të jetë i një intensiteti të tillë që përpos djegies së trupave, do ti digjte edhe shpirtrat e latuar si Hari Xheksoni dhe veprimtarinë e tij.
H. Xheksoni, në një intervistë gjatë këtij filmi, kur pyetet se si ndjehet një regjisor i filmave vestern në Bjelinë të Bosnjes, ai përgjigjet: “Më dëgjoni, duhet ta kemi të qartë se jetojmë në një provincë ku nuk kuptohen gjërat. Por megjithatë kam arritur të punoj në filma vite të gjata”.
Bjelina asokohe ka qenë e shndërruar në qendër ballkanike të filmave vestern. Bashkëpunëtorët e tij me mall e respekt të thellë zbërthejnë karakterin e Hari Xheksonit. Ata thonë se H. Xheksoni solli nga atdheu i tij kodin etik të shqiptarëve, besën, fjalën e dhënë, luftën e paepur kundër padrejtësive. Këto motive ai i jetësonte përmes filmave e personazheve të tij. Kauboji ishte personifikim i njeriut të guximshëm që lufton kundër padrejtësive.
Jo më kot, moshatarët e tij theksojnë se të gjithë e kanë dëgjuar, admiruar dhe kuptuar seriozitetin e tij. H. Xheksoni, asobote është bërë temë diskutimi në rrethet akademike. Me filmat e tij, janë bërë provime pranuese dhe kanë shërbyer si ekzemplarë për zhanrin që askush nuk e ka menduar para H. Xheksonit.
Tek filmi i tij: “Hari hakmarrësi”. H. Xheksoni ka përdorur këtë mënyrë të xhirimit që nuk është aplikuar më parë: “Kamera ndjek hijen e vrasësit, pra, nuk shihet vrasësi, por vetëm hija e tij. Hija kapërcen një rrjedhë uji, lëviz nëpër oborr dhe futet në shtëpi. Heq revolverin i vret njerëzit dhe kthehet mbrapa. ndërsa shikuesit gjatë gjithë kohës nuk e di për kë bëhet fjalë”. Shikuesve të këtij filmi, kjo skenë u ka ngelur në kujtesë si skena më origjinale dhe stili i veçantë i shprehjes filmike. Kah fundi i filmit, kthehen skenat e luajtura në mënyrë të shkëlqyeshme. Bëhet rikonstruktimi i një ambienti vestern dhe toposet dominuese të tij . Këto skena kanë më shumë kuptime. Shpjegojnë kërkimin për veprimtarinë e H. Xheksonit, për të hedhur dritë mbi punën e tij dhe shpjegon për marrjen në pyetje nga agjentura e shtetit serb të asaj kohe ku rrahet brutalisht, gjatë luftës në Bosnje.
Hari Xheksonin mund ta quajmë personalitet që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e njerëzve, por jo mjaftueshëm i kuptuar nga të njëjtit. H. Xheksoni pranoi sfidën të jetojë në Bjelinën e tij edhe gjatë luftës, i ndarë përjetësisht nga familja, në Bjelinën të cilën e kishte të përsosur në imagjinatën e tij krijuese, duke jetuar me erërat, zërat, personazhet dhe luftën e tij të përjetshme.
Nuk mbetën në kujtesën kolektive të Bosnjës personat që sunduan vendin. Vetëm Hari Xheksonin e njohin të gjithë në Bosnje, e tani e tutje, e njohim edhe ne shqiptarët kudo që jemi, edhe atë përmes formës më të mirë, formës për të cilën H. Xheskoni e shkriu jetën e vet, ai është filmi. Sabidin Aliu, me filmin “Kauboji i fundit i Ballkanit” këtë na e bëri të mundshme.