NGA KRONIKA E PARË DERI TE DOKUMENTARI I PAMBARUAR…

Shkruan:Merita Çoçoli – Sali

Alush Kamberi, gazetari i parë në Redaksinë Shqipe në Televizionin e Shkupit, kronikën e tij të parë televizive e filloi me një ngjarje tragjike, e cila i la  përgjithmonë gjurmë në përgjegjësinë  e tij profesionale, në formimin e tij, fillimisht si gazetar dhe, më vonë, si dokumentarist.   

 30 nëntor 1967

                                                                                                                                                          

Ishte një mëngjes i ftohtë me ngjyrë gri, kur Alush Kamberi një gazetar rishtar 19 vjeç, erdhi në orën 9-të nga Tetova në Redaksinë Shqipe të Televizionit e Shkupit në Maqedoni – ish Republikë e Jugosllavisë. Redaksitë dhe studiot e televizionit ndodheshin në fillim të rrugës së Karposhit, në hyrje të Shkupit.                                                                                                                                                                       

Murat Isaku, kryeredaktori i Redaksisë, e priste në zyrë. Alush”, i thotë sapo hyri, do të nisemi urgjent së bashku të xhirojmë në Dibër, sepse ka rënë tërmet. Alushi u ndje  keq nga lajmi i papritur. Një mori pyetjesh  i erdhën në mendje, se si do të përballej me viktimat, si do ta bënte lajmin për këtë ngjarje të rëndë, si do të shpallte publikisht emrat e të vdekurve… 

Pasi  mblodhi paksa veten, iu lut Zotit të mos kishte viktima. Ndjenja e humanizmit zotëroi në logjikën e tij. Nxitoi të organizojë ekipin për në terrenin e vështirë. I vunë në dispozicion një makinë, kameramanin dhe tonistin. Redaksia Shqipe ishte i vetmi ekran ku dy herë në javë flitej nga 15 minuta në gjuhën shqipe, kryesisht informacione që shqiptarët e Maqedonisë mezi prisnin ditën dhe orën për t’i parë dhe dëgjuar. Mëngjesin e ftohtë të 30 Nëntorit, nga stacioni sizmiologjik i Dibrës, erdhi fare shkurt lajmi i rëndë, pa hollësitë se deri ku shkonte katastrofa. Redaksia ndërpreu programin e zakonshëm në TV dhe në kohë rekord përgatiti një edicion të shkurtër lajmesh ku njoftoi se në orën 8 e 10 minuta të mëngjesit, një tërmet i fuqishëm kishte goditur Dibrën. Fjala u përhap si krismë, populli priste me ankth lajmet nga Dibra. Ndërkohë ekipi i TV ishte nisur drejt zonës së tërmetit. Makina ecte me shpejtësinë maksimale gjatë rrugës së vështirë gjithë kthesa drejt qytetit të Dibrës që shtrihet rrëzë malit të Korabit.                                                                                                                                                         

Alushi tregon: “Nuk flisnim, heshtja tregonte ngarkesën emocionale që ndjenim secili nga ne… Dhe kur më në fund arritëm në Dibër, çfarë të shihnim, pamje trgjike na dolën para syve, gati 80 për qind e qytetit  ishte rrafshuar. Kontakti  i parë me njerëzit ishte edhe më i rëndë, dibranët ishin të hutuar, gjithë ankth, nuk e dinin nëse ishin në tokë apo në qiell. Refreni që degjoja vazhdimisht në atë ditë të parë të jetës sime si gazear i një kronike televizive, ishte pyetja që i bënin njerëzit njëri-tjetrit, a jeni të gjithë gjallë… a jeni gjallë. Filluam të xhirojmë nëpër  gërmadha”, vazhdon rrëfimin e dhimshëm Alush Kamberi, ”por e keqja  më e madhe ishte kur pamë viktimat e para. Dhe viktima e parë ishte një djalë 9 vjeç, Agim Cutra dhe pastaj një vajzë 11 vjeçe, Vjosa Cami quhej. Ndërsa një person që quhej Shuaip Kodheqi, kishte bërë një akt heroik që i kushtoi shtrenjtë. Ai pasi arriti të shpëtojë nga rreziku i tërmetit, vrapoi në radiostacionin elektrik aty pranë për të ndërprerë rrymën elektrike, në mënyrë që të shmangte zjarrin, por korenti i krijuar nga linjat  e shkatërrura elektrike i përfshiu gjithë trupin, u dogj. Rrugës për në spitalin e Ohrit, ai ndëroi jetë… Kishte shumë viktima, shumë shkatërrim. Nuk do desha kurrë ta filloja jetën time  profesionale me këtë kronikë, por ja që kështu ndodhi. Gjithsesi, së bashku me Muratin, e çuam misionin e gazetarit deri në fund”.                                                                                                                                                                      

  Si u bë Alush Kamberi gazetari i parë në Redaksinë Shqipe të Televizionit të Shkupit, është pyetja që jo rrallë herë bëjnë njerëzit kur flitet për historinë e  programit shqip, MTV2.                                                                                                                                                                      

Jeta profesionale e Alush Kamberit filloi atë ditë, kur  në derën e shtëpisë e tij në fshatin Strimnicë të Tetovës, trokiti një burrë elegant që kishte vënë një kapele me stil francez në kokë.                                                                                                                                            

Jam Murat Isaku, u prezantua ai,vij nga Televizioni i Shkupit, kërkoj Alushin.“Unë nuk e njihja Muratin si fytyrë”, tregon Alushi, “as ai mua, por kisha  lexuar romanet e tij, e njihja si shkrimtar, e adhuroja, pa dyshim. Ai kishte lexuar shkrimet e mia në gazetat dhe revistat që botoheshin atëherë në Maqedoni dhe në Kosovë. Shkruaja gati në të gjitha gazetat qysh në vitet e para të  gjimnazit në Tetovë. Atë ditë vere kur z. Murat erdhi në shtëpinë tonë në fshat, unë sapo kisha mbaruar provimet e maturës dhe po përgatitesha të shkoja në Universitetin e Beogradit, për të studiuar  mjekësinë. Nuk e pëlqeja shumë si profesion, por familjarët e mi, sidomos babai, donin që të bëhesha doktor. Kisha përgatitur gjithë dokumentacionin e duhur për studimet e larta. Ai m’i (prishi) planet, më ndryshoi gjithë rrjedhën e jetës. Zoti Murat më ftoi të punoja  si gazetar në Televizionin e Shkupit, gjë e madhe në atë kohë, një ofertë e pabesueshme. M’u duk si ëndërr, nuk e besoja. E pranova, pa dyshim, por me një dozë frike se a do të mund ta bëja dot profesionin e gazetarit. Dhe kështu ai ishte redaktori im i parë, por edhe mësuesi im gjatë gjithë kohës që punuam bashkë në Redaksinë Shqipe”.                                                                                                           

Redaksia Shqipe në fund të viteve 60-të ishte një redaksi shumë e vogël me tri veta, redaktorin, spikeren dhe gazetarin. Redaktori ishte Murat Isaku, spikere Suzana Kaba dhe gazetari Alush Kamberi, i cili mbeti i pari dhe i vetmi gazetar rreth pesë vjet. Ai ekran i vogël me minutazh të kufizuar para gjysmë shekulli kishte një peshë më të madhe edhe se ekranet e mëdha elektronike nëpër sheshet e qyteteve sot, jo thjesht nga mungesa e pranisë së gjuhës shqipe në mediet e Maqedonisë, por edhe nga pasioni dhe dashuria që punuan gazetarët dhe teknikët e parë të Redaksisë Shqipe, e cila ndër vite u rrit në kohë dhe hapëësirë. Në këtë atmosferë të shëndoshë profesionale u formua si gazetar dhe dokumentarist Alush Kamberi.                                                         

Alushi spikati sidomos me reportazhet  në terren, por edhe me emisionin “Kronika televizive”, i cili ishte një emision i përditshëm shumë i shikuar nga publiku i televizionit. Me kalimin e viteve nuk kishte shqiptar në Maqedoni që nuk e njihte dhe nuk e nderonte Alush Kamberin.                                                                            

  Sigurisht ka pasur sfida, sfida të mëdha që kanë të bëjnë me ideologjinë e kohës, e cila luftonte dhe vigjëlonte në mënyrë sistematike intelektualë shqiptarë. Gazetarët ishin në shënjestër, të survejuar dhe të kontrolluar në çdo detaj të të shprehurit dhe të të shkruarit në të gjitha mediet në gjuhën shqipe. Politika e kohës moniste ishte kosekuente në zbehjen e identitetit të shqiptarëve.

                                                                                                                                                                   

 “Situata u vështirësua shumë sidomos në fillim të viteve `80-të, kur të gjitha medieve shqiptare iu kërkua të përdorin toponimet”, vazhdon  rrëfimin e tij Alush Kamberi, ”d.m.th formën e maqedonishtes në emërtimet e vendbanimeve shqiptare. P.sh Shkupit duhet t’i thoshim Skopje, Manastirit – Bitolla, Kërçovës – Kiçevo, e shumë të tjera. Ishte vërtet situatë e rëndë, por ne si redaksi u munduam ta kaloninm në mënyrë sa më dinjitoze. Atëherë unë përdora një dredhi, por edhe kolegët e tjerë, nuk e lexoja Skopje, por kryeqendra jonë, ndërsa emrat e qyteteve të tjera mundohesha t’i shmangia sa më shumë. Të gjithë po tregoheshim të kujdesshëm për të ruajtur të paprekur identitetin tonë kombëtar, që, pa dyshim, lidhej me vendbanimet dhe gjuhën shqipe. U munduam të përdorim me kujdes hapësirën për të mos u përndjekuar, megjithatë disa nga kolegët tanë u ndëshkuan. Pak më vonë u dënova edhe unë. Më larguan nga programi në gjuhën shqipe, por për një tjetër arsye, fare të palogjikshme. Dikush kishte thënë se unë kisha qenë në një dasmë familjare ku këngëtari nga Kosova kishte kënduar këngë patriotike shqiptare dhe unë nuk kisha mbajtur qëndrim, as isha larguar nga dasma. Për këtë arsye më larguan nga redaksia shqipe. Ndëkohë Murat Isakun e kishin ndaluar të dilte në ekran, ndërsa  redaktorin e atëhershëm Menduh Ajdinin, për shkak të toponimeve e larguan nga televizioni brenda 24 orëve. Absurde dhe paradoksale  tingëllon sot, por unë edhe kolegët e përjetuam shumë keq, sepse vërtet ishte situatë e rrezikshme“, përfundon rrëfimin e tij  Alush Kamberi.

Ishte dhjetëvjeçari i trazuar i viteve 1980-1990, kur ndërruan epokat në të gjitha ish-vendet komuniste të Ballkanit, Jugosllavia u shpërbë. Qysh atëhere  Alushi gjithë fokusin e tij dhe përvojën televizive e përqëndroi te filmi dokumentar. Për shumë vite rresht,  nëpërmjet syrit të kamerës, ai shkeli gati gjithë hapësirat shqiptare në Maqedoni dhe përtej saj. Dhe jo vetëm kjo, por edhe diaspora shqiptare në mbarë botën nga Europa, Amerika e deri në Australinë e largët erdhi në ekranin e programit  shqip me gjithë larminë e saj të personazheve dhe temave të gjetura bukur nga autori Alush Kamberi.                                           

Në krijimtarinë e tij të pasur televizive ka mbi 400 njësi dokumentare. Është autor i filmit të ardhjes së parë të Nënë Terezës në Maqedoni etj., një listë e pafund, një prodhimtari e përhershme, e përkushtuar që nuk njihte kufij, hapësirë dhe kohë, që nuk njihte moshë, por vetëm pasion dhe këmbëngulje.                                                                                                                       

Për veprimtarinë e tij, Kamberi është shpërblyer  disa herë me çmime të larta shtetërore.             

 Pas 45 vjetësh, qysh ditën kur Murati Isaku e ftoi studentin e ri të punonte në televizion, Alush Kamberi doli në pension me peshën e profesionistit, me peshën e përvojës… Por krijimtarinë e tij as atëherë nuk e ndërpreu. Konkurroi dhe fitoi shumë projekte, midis tyre seriale dokumentare, të cilat vazhduan të shfaqen rregullisht në ekranin e Programit të Gjuhës Shqipe në MTV2 të Maqedonisë, jo më i ekrani  i vogël si dikur, me 15 minuta program, por me  24 orë program.                                                                                                      

 Nuk e ndaloi asnjëherë punën e tij, hulumtimin për tema dhe ngjarje. Ishte në përfundim e sipër të serialit dokumentar “Me shqiptarët e Skandinavisë”, po montonte, kur vdekja e pabesë erdhi dhe e mori papritur… Vetëm atëherë ndaloi së punuari, ndaloi përgjithmonë… Pjesa e fundit e dokumentarit  mbeti e pambaruar…                                                                                                                                                         

Ishte 14 gushti  i vitit 2021.

P.S

Materialet origjinale janë shkëputur nga intervista e fundit që Alush Kamberi ka pasur me autoren e këtij teksti.

Shkup                                                                                                                                                                      

Korrik 2023

By Admin