Premiera e shfaqjes: 22 dhe 23 qershor 2023
Regjia: Blerta Neziraj, Skenografia: Mentor Berisha
Kostumografi: Blagoj Micevski, Muzika: Tomor Kuci, Koreograf: Gjerg Prevazi, Dizajni i ndriçimit: Mursel Bektesi, Inspektor: Naim Yakupi
Aktorët: Arlind Selimi, Burhan Amiti, Yetmir Arifi, Linda Shabani, Merita Limani-Mustafa, Shkumbin Zeqiri
Premiera e shfaqjes “Peer Gynt nga Ballkani” e Jeton Nezirajt me regji të Blerta Nezirajt u shfaq premierë më 22 dhe 23 qershor 2023 para publikut të Teatrit të Tetovës në sallën e madhe të Qendrës së Kulturës në Tetovë. Karakteristikë e kësaj shfaqjeje është se skena e aktorëve është në hapësirën ku duhet të jetë publiku, pra drama zhvillohet mes karrigeve ndërsa publiku ndodhet në skenën e sallës. Prandaj, numri i spektatorëve ishte i kufizuar.
Shfaqja u prezantua para gjithsej 220 spektatorëve në dy shfaqjet premierë.
“Peer Gynt nga Ballkani” u vendos për herë të parë në skenë në vitin 2014 si një bashkëpunim midis tre teatrove, Hessisches Staatstheater Wiesbaden (Gjermani), Multimedia Center (Kosovë) dhe Teater de Vill (Suedi). Shfaqja përveç Gjermanisë, Suedisë dhe Kosovës me shumë sukses u vendos në skenë edhe në Stamboll, në Teatrin Shtetëror të Turqisë. Përveç anglishtes, është përkthyer edhe në italisht, gjermanisht, turqisht dhe serbisht.
Ajo që i ndodh Peer Gyntit gjatë rrugëtimit të mërgimit zbulon përvojat e shumë të rinjve të dëshpëruar, të cilët çdo vit, të mbushur me shpresë për një jetë më të mirë jashtë kufijve, largohen nga vendlindja. Në atdheun e tyre të ri, ata shpesh keqtrajtohen nga autoritetet, izolohen dhe përjashtohen nga shoqëria dhe bëhen nostalgjikë për shtëpinë e tyre të mëparshme. Kështu, ëndrra për një jetë më të mirë bëhet një makth i vërtetë. Me dëshirën për t’u pranuar në rrethin e ri, shpesh bëhen viktima të miqve të këqij, të cilët u ofrojnë “sigurinë që u mungon”. Peer Gynti, personazhi kryesor i kësaj drame, futet në një grup emigrantësh, të cilët i përmes aktiviteteve kriminale i garantojnë siguri. Megjithatë, ai përfundon në burg.
Me shfaqjen “Peer Gynt nga Ballkani”, Teatri i Tetovës përfundon aktivitetet e tij për pjesën e parë të vitit dhe do të vazhdojë me repriza në pjesën e dytë të vitit pas pushimeve verore, duke e mbajtur këtë projekt aktiv para shikuesve. të cilët e ndoqën shfaqjen me shumë interes.