Filmi shqiptar në Maqedoninë e Veriut, nuk mund të shihet jashtë peizazhit të përgjithshëm të jetës kulturore dhe artistike gjatë kësaj periudhe të vështirë dhe me shumë sfida të tranzicionit. Shqiptarët gjatë kohë kanë qenë të përjashtuar nga jeta institucionale sidomos në dimensionin e kulturës dhe artit. Peizazhi i përfshirjes së krijuesve shqiptarë në suazën e mbështetjes financiare shfaqet i zbehtë dhe me diskriminime të shumta, të cilat kanë buruar nga politika kulturore diskriminuese dhe gati se përjashtuese për krijuesit dhe artistët shqiptarë.
Institucionet duke u udhëhequr nga politika recidiviste të një mendësie të tejkaluar kanë qenë gati se plotësisht të mbyllura për produksionin kulturor dhe artistik të shqiptarëve. Kjo ka krijuar një vakum të paparë, një mungesë dhe afirmim të produksionit kulturor dhe artistik në hapësirën kulturore dhe gjuhësore shqiptare. Pikërisht, në këtë suazë diskriminimi dhe papersketive realisht e gjen veten edhe filmi shqiptar në Maqedoninë e Veriut, i cili gjatë kohë nuk do ta njoh përkrahjen institucionale.
Gjithë kjo situatë ka pamundësuar që brenda kësaj periudhe të gjatë tranzicioni tridekadash filmi shqiptar të gjej afirmimin e vetë në të gjitha formatet e mundshme, në zhanrin e filmit të shkurtër, filmit të metrazhit të shkurt dhe të gjatë, gjegjësisht filmit artistik. Sigurisht, që brenda kësaj kohe do të shfaqen regjisor të dalluar shqiptar, të cilët më tepër do të përqendrohen në teatër dhe shumë pak në sferën e filmit, aty ku realisht shfaqet një proces shumë i komplikuar ekipimi dhe financimi. Sidoqoftë, brenda kësaj kohe tashmë ishin formësuar profilet e para regjisoriale të cilat po jepnin me shumë kreativitet impulset e para të një prania, e cila do të kërkonte kohë që të manifestohet si përmbajtje kreative në artin e filmin, apo në atë që tashmë definohet si arti i shtatë.
ARDHJA E NJË BREZI
Mbase me shumë vështirësi dhe me shumë përpjekje individuale, një brez regjisorësh dhe aktorësh tashmë po paralajmëronin ardhjen e tyre në botën e artit, gjegjësisht në botën e filmit. Të vetmuar dhe tërësisht pa përkrahje, kjo gjeneratë e regjisorëve dhe aktorëve me ngulm kërkonin ta shpalojnë praninë e tyre në botën e artit, në botën e teatrit dhe të filmit. Përderisa teatri shqiptar kishte një trashëgimi solide, sfera e filmit vinte pa ndonjë traditë të theksuar, vinte me ambicien për të shënuar nisjen, atë nisje të domosdoshme që do të krijonte një momentum të ri për filmin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Dhe, nëpër të çarat e institucioneve përjashtuese, me ngulm dhe me potencë krijuese, producentë dhe regjisor shqiptarë do të imponohen me përmbajtjet e tyre filmike, me projektet e tyre, të cilat vinin të shënojnë një periudhë tjetër në jetën kulturore dhe artistike në Maqedoninë e Veriut. Kjo është faza e imponimit, e vlerave që duhej të prezantohen dhe që kërkonte politika tjera kulturore të institucioneve ndaj një gjenerate në pritje, ndaj një gjenerate që nuk zmbrapsej, por përkundrazi me shumë reagime, debate dhe artikulime tjera po shpërfaqnin padrejtësitë, mungesën e përfshirjes së shqiptarëve në programet nacionale, në Fondin e Filmit, që përfaqësonte institucionin kryesor në financimin dhe afirmimin e filmit në Maqedoninë e Veriut.
Pikërisht, ky imponim, kjo përpjekje këmbëngulëse e këtij brezi në ardhje tashmë kishte tronditur konceptin e bunkerizuar të Fondit të Filmit dhe po krijonte një mundësi minimale për financim edhe të projekte filmike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Brenda kohës bota e filmit do të njohë produksionet e para filmike, të cilat shpërfaqnin kreativitetin e vetë të padiskutueshëm në sferën e artit të shtatë.
Dihet tashmë që arti filmit kërkon një predispozita optimale për të vegjetuar në një ambient të caktuar, në një ambient socio-kulturor. Filmi mbetet “sport i shtrenjtë”, një gjini arti, ku implikohet shumë faktorë, duke filluar nga skenari dhe deri te faza e e mundimshme e post-produksionit. Filmi mbetet medium i komplikuar dhe nuk mund të definohet vetëm në kuptimin bazë si “fotografi në lëvizje”. Filmi kërkon një ekip të gjerë, angazhim të më tepër profesionistëve për t’u finalizuar si produkt. Pikërisht për këtë shkak filmi si gjini artistike kërkon mbështetje të padiskutueshme financiare, sidomos në vendet, ku produkti filmik nuk mund të perceptohet në kushtet e një komercializimi, siç mund të ndodh në vendet më të përparuara, atu ku tashmë ka një traditë kinemaje, ku ka një traditë premierash filmi dhe shfaqjesh tjera që mund të komunikojnë me një publik më të gjerë. Në vendet, ku kultura dhe arti, sigurisht edhe filmi, nuk mund të mbijetojnë nga tregu, zakonisht shfaqen institucionet si mbështetëse apo mecenatet e ndryshme, të cilat realisht tek ne nuk janë të pranishme.
Pikërisht, ky kontekst, e bën artin e filmit të kalojë nëpër shumë sfida financiare, gjegjësisht, çdo ide filmi vështirë të realizueshme. Planimetria, struktura, konstruksioni financiar dhe gjitha elementet tjera përcjellëse ë bëjnë filmin një produkt të shtrenjtë artistik me shumë sprova të mëdha financimesh. Në vendet pa një traditë të theksuar në artin e filmit, vështirësitë shumëfishohen. Për producentët shqiptar të filmit kjo sprovë mbetet akoma më e madhe, sidomos nëse kemi parasysh që në hapësirën artistike shqiptare fillimet e filmit janë të vonshme, pra depërtimet e mundimshme në mbështetjet financiare kanë njohur paraprakisht një diskriminim të tmerrshëm.
GJUHA E FILMIT DHE AMBIENTI SOCIO-KULTUROR
Padyshim filmi, ashtu siç theksojnë edhe teoricienët e filmit, mbetet art i komplikuar që analizohet në suaza edhe të teorive të diskursit, të një gjuhë të re, e cila rëndë perceptohet përtej definimit bazik “ imazhe zanore në lëvizje”. Teoricienti i filmit, belgu, Jan-Marie Lambert Peters argumenton se ata që janë edukuar në frymën e kulturës klasike nuk e dinë të “lexojnë” gjuhën e filmit dhe nuk janë në gjendje të perceptojnë risi në strukturën dhe gjuhën e filmit. Sipas tij, bëhet fjalë për gjuhën e “imazheve zanore në lëvizje”, e cila krijohet bazuar në mundësi të veçanta shprehëse, teknikat dhe teknologjitë kinematografike.
Teoricienët modern të filmit vënë në dukej se gjuha e filmit i ofron inteligjencës sonë një dimension të ri, i cili për disa arsye, pa hezitim përshtaten më mirë me kërkesat e jetës moderne. Gjuha kinematografike mundëson një mënyrë të re të “të menduarit perceptues”, duke përdorur imazhe filmike, të cilën gjë teoricienët të tjerë të filmit e definojnë si “të menduarit vizual” ose “audio-vizual”. Siç mund të shihet filmi mbetet një art i ri dhe me interpretime të shumanshme të esencës së tij dhe që për më tepër kërkon një evolutë perceptimi dhe një emancipim të gjerë për të rrokur mesazhet apo gjuhën vizuale.
Sidoqoftë, në Maqedoninë e Veriut tashmë kemi një gjeneratë producentësh që me sukses po rrugëtojnë në artin e filmit, në disa zhanre, duke filluar nga filmi dokumentar e deri te filmi artistik i metrazhit të gjatë. Dhe gjithë kjo falë financimeve nga Fondi i Filmit, që brenda kohës ka mbështetur disa projekte filmike.
NISJA DHE EVOLUTA E FILMIT SHQIPTAR
Në vijim do të shpalosim disa nga regjisorët dhe producentët shqiptar në Maqedoninë e Veriut, të cilët vijnë nga shkolla të ndryshme dhe kanë realizuar filma të zhanreve të ndryshme. Pikërisht me këto projekte filmike realisht fillon procesi i pjesëmarrjes së shqiptarëve në financimet nga Fondi Filmit. Me këto projekte përafërsisht krijohet peizazhi i evolutës së filmit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, por njëkohësisht edhe vjen në shprehje kreativiteti i një gjenerate regjisorësh, producentësh dhe aktorësh.
Sabidin Aliu (Akademia e Arteve-Tiranë)
Ka filluar me filma dokumentarë, duke vënë theksin te temat që ndërlidhen me mërgatën shqiptare në Europë, ndërsa më pas ka realizuar edhe filma të metrazhit të shkurtë dhe të gjatë. Ka realizuar dokumentarët ”Mall dhe Gëzim”, “Nacionalitete, religjione dh dashuri” (film për martesat e përziera) dhe filmin dokumentar “Dilema e vjetër në epokën e re”, që është zgjedhur film dokumentar më i mirë në tri festivale ndërkombëtare. Gjithashtu ka realizuar filmat e shkurtër artistik “Përralla” dhe “Dasma e anës”, dokumentarin kushtuar regjisorit tetovar “Kauboji i fundit në Ballkan”, ndërsa është në realizim të filmit të metrazhit të gjatë “Parku”.
Aliu dallohet për transkriptimin e realiteve të dhimbshme dhe në të shumtën e rasteve të komplikuara në gjuhë figurative filmi. Nga përditshmëria dhe nga e zakonshmja ai e merr lëndën e pare për ta konsoliduar mëpastaj në tematikë për filmat e tij që tashmë kanë vulën e suksesit të festivaleve ndërkombëtare.
Arben Thaçi ( Fakulteti Arteve-Prishtinë)
Ka realizuar filmin dokumentar “Rreze Shari” si dhe filmin artistik të metrazhit të gjatë “ I treturi”, një produksion filmik mbi tematikën e luftës dhe viktimave diskrete që merr ajo. Filmi trajton dhe shpërfaq me shumë mjeshtëri dimensionin e tëhuajsimit të njeriut, marrëdhënieve njerëzore, familjare dhe brenda komunitetit. I realizuar me një ndjeshmëri të theksuar, narrativi filmik zhvillohet kryesisht rreth Beqirit, një emigrant shqiptar i moshuar, që jeton ditët e tij të fundit larg vendlindjes, në përballje të vazhdueshme me fajin, izolimin dhe trazirat e brendshme që e mundojnë. Arbën Thaçi dallohet për metaforat origjinale filmike që vijnë vizuealisht të shfaqura si tërësi artistike. Në proces e sipër është edhe filmi i metrazhit të gjatë “Ajal”.
Senad Abduli (Fakulteti Arteve-Prishtinë)
Ka realizuar filmin e metrazhit të shkurtër “Kohë e bukur për të vdekur”, filmin “Aida”, “Pse unë” dhe “Eksperienca të njëjta nga këndvështrime të ndryshme”, filmin dokumentar “A jam emigrant apo..?!”. Në realizim e sipër ka filmin i gjatë artistik “ Marrëveshja”. Edhe Abduli dallohet për trajtimin e temave të veçanta nga përditshmëria, të cilat ngritën në narracion filmik me mesazhe të thella njerëzore. Është përgjithësisht kjo planimetria filmike njerëzore mbi të cilën Abduli vendos fatet e personazheve të tij dhe që sjellin botët e tyre në tërësinë narrative të filmit.
Filmat e Senad Abdulit gjithashtu janë prezantuar në shumë festivale ku edhe kanë fituar çmime.
Kushtrim Bekteshi (Fakulteti i Arteve-Shkup)
Ka realizuar filmin artistik-zhanri komedi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”. Një film që është pritur mirë nga publiku dhe që në esencë përmes situatave komike dekonstruon një mentalitet, një mendësi, një realitet dual dhe kompleks shqiptar. Pikërisht përmes situatave komike Bekteshi arrin që të depërtojë në realitetet e brendshme të shtresuara, të cilat vijnë përmes fateve të personazheve, përmes një kaosi të krijuar pas ardhjes së tri prostitutave në një fshat, që realisht shfaqet si një mikrokozmos mendësie tipike.
Arsim Fazliu(Fakulteti i Arteve-Tetovë)
Ka realizuar filmin e shkurtër “Një fjalë”, filmin e gjatë artistik “ I fshehuri”, ndërsa është në realizim e sipër të filmit dokumentar “Pasuria”. Edhe Fazliu temat i gjen në përditshmëri, në ato skuta të shpirtit njerëzor të cilat më pas ngritën në art.
Kastriot Abdyli (Fakulteti i Arteve-Tetovë)
Ka realizuar filmin dokumentar” Skënderbeu edhe në Shkup”, ndërsa është në realizim e sipër të filmit të metrazhit të gjatë “Ndoshta”.
Merita Çocoli (Aktore, realizatore, Akademia e Arteve-Tiranë)
Ka realizuar filmin dokumentar “Nezo” si dhe dokumentarin ” Gjilpëra”, kushtuar kreatorit të modës Izet Curi. Çoçoli dallohet për kapjet artistike të situatave dhe personazheve, për tonalitetet që burojnë nga fuqia e personazheve dhe situatave.
Izer Aliu
Ka realizuar filmin e metrazhit të gjatë “Trashëgimia”. Ky përgjithësisht është peizazhi i filmit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, që po shfaqet ndërkohë me gjithë emancipimin e mundshëm regjisorial dhe aktorial dhe që tashmë me kreativitet dhe përkushtim po hap një horizont tjetër evolute. Një mbështetje e përhershme financiare për projektet filmike mbetet e domosdoshme për të zgjeruar këtë repertor kreativ projektesh dhe për të sjellë dhe konsoliduar një gjerësi tjetër tematike sensiblitetesh krijuese, që ky brez i posedon padiskutim.
Shkruan:Bardhyl Zaimi