Premiera e fundit e Teatrit Kombëtar të Kosovës. “Trenat”, dramë e Haqif Mulliqit. Regjia, Zanë Durakut.
Aktrojnë:Shpëtim Selmani dhe Rabije Rozi Kryeziu. Instrumentist: Xhemail Gllavica
“Trenat” si një rrugë frike, trimërie, dashurie, vdekjeje dhe lindje
Në një ambient kamertal, ku frymëmarrja lexohet më saktë se në skenë të madhe dhe drama vjen edhe
përmes vijave të ngurta, a të relaksuara të fytyrës, shikimit në bebëza dhe heshtjes dramatike e cila
shprehshëm e jep brendësinë shpirtërore të personazheve Veni dhe Vini të dramës “Trenat” e Haqif
Mulliqit, premiera e së cilës u dha në teatrin Kombëtar, skena e vogël.
Regjisorja Zanë Duraku e kishte vendosur shfaqjen “Trenat” në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar ku e
gjithë hapësira ishte projektuar si skenografi që të kujton apo të krijon imazhin e pritjes së trenit, ne po
prisnim trenin, një komunikacion që tek ne aktualisht nuk funksionon por ka simboliken e fuqishme.
Me një dekor minimalist: disa rroba, këpucë dhe baule, e ku bënim pjesë edhe ne spektatorët të vendosur
sikurse në një stacion treni ku mësohet pritja, durimi dhe shkuarja edhe pa buletë në xhep, e ku ikonografi
e zëshme ishte edhe një muzikant me një instrument krejt atipik, me një sharki nga e cila nxirrte tinguj
nostaligjk për kohën e cila po na ik para jetës, duke e ambientuar shfaqjen me nervin emocional që ajo na
e rrëfente si temë.
Trenat si një metaforë e kohës, e asaj të pakapshmes dhe zotërueses së vetvetes, derisa kur jemi Brenda
saj edhe mund të bëjmë apo të mos bëjmë diçka në jetë, qoftë kjo edhe në kohë lufte siç u ndodh
personazheve të dramës.
Vite më larg, por ende nën lëkurën e përjetimit në Kosovë përpëliteshim, luftonim e udhëtonim drejtë
lirisë. Në atë rrugë kishte frikë, trimëri, dashuri, vdekje e lindje, vite kur të gjithë e kishim jetën në zgrip
dhe zemrën plotë shpresë.
Burrë e grua, a dashnor, bashkëjetues krejt njëjtë, aktor me profesion po parafrazonin Beketin dhe asgjën
e domethënshme të tij, duke improvizuar skenë nga “Duke pritur Godonë”, derisa vdekja u trokiste në fat
me emrin Srebrenicë, Aushvic, apo Krushë a Reçak. Burri po e ruante friken veç për veti derisa gruaja në
embrionin shtatzënësisë ruante vullnetin për jetë, një fëmijë shprese si liria.
Por ajo dhunohet në sytë e pafuqisë së burrit në përpjekje për t’i dhënë jetë dashurisë. Derisa ajo vdes,
autori e fuqizon simboliken e jetës duke na e argumentuar konstatimin e Kamysë se “vetëm arti mund të
kap të kuptuarit e absurditetit”, në këtë rast të luftës.
A mund të jetë teatri azil dhe shpëtimi i njerëzve
Ata të dy në çastin e pritjes së shpresës e cila vinte me fytyrë vdekjeje, rekapitulonin marrëdhënien duke
nxjerr para nesh fije të holla të cilat vijëzonin karakterin e personazheve të dramës, shkruar mjeshtërisht
nga dramturgu Haqif Mulliqi
Dhe mësojmë dilemën se a mos teatri ishte shpëtimi i tyre siç do duhej të ishte mekanizmi nëpër të cilin
do duhej kalonim të gjithë për ta rigjetur vetveten e trazuar të lënë matanë vetes përtej kohës.
Autori i dramës dimensionin e kohës e trajton në kohën psikologjike, ku momenti mund të zgjatet
pakufi, për të na nxjerrë nga brenda thënie e venerime nga struktura e ADN-së njerëzore të cilat në
situata normale njeriu di t’i fsheh duke i shndërruar në nëntekst, aty ku fillon të operoj regjisori, në
këtë rast regjisorja e cila këtë e bëri suksesshëm me ndihmën e aktorëve Shpëtim Selmani i cili me disa
partitura interpretimi brilant të heshtjes kur bërtet dhe britmës kur heshtë ambientohej në poetikën e
dramës së Mulliqit, që është kuptimësimi i plotë i heshtjes. Rabije Rozi Kryeziu në një rol të vështirë
të cilin e mbajti nën kontroll gjatë gjithë shfaqjes me amplituda emocionale që të rrëqethnin, me një
konsistencë në paraqitjen dhe zhvillimin e karakterit të personazhit në kohën aktive të shfaqjes, pa
sforcime të tepruar as në veprimet foljore as fizike, Roza na e dhuroi një personazh, fatin e të cilit e
ndjemë.
Kolona muzikore ishte domethënshëm e integruar në shfaqje, e realizuar mjeshtërisht nga instrumentisti
Xhemail Gllavica. Gjithashtu disejnimi dritave ishte i saktë në raport me ambientimin fizik të shfaqjes pa
çka që kanë mundur të jetë “më shumë se kaq” edhe emocion i shfaqjes.
Teatri si laborator
Dhuna dhe përjetimi i saj si vrasje e jetësores deri edhe në embrionin e saj na kthen edhe njëherë tek
drama e madhe e luftës, si jetë, nëpër të cilën kemi kaluar kolektivisht e tashmë jemi kthyer në “normalitet”
pa e shëruar rrugën e gjakut dhe lotit. Ne e përjashtuam teatrin si terapi permanente, ngase vetëm aty
heshtja merr kuptimin e britmës shurdhuese, si një laborator apo sanatoriumi i kthimit tek vetvetja. Por
ne sikur u ngjitëm pas politikës apo asaj që ne e quajmë politikë e nuk është përveçse një thashethemnajë
e ngritur në konflikt nga adhuruesit e gënjeshtrave premtuese, në vend se ta dëgjojmë heshtjen e Teatrit,
sikur po mundohemi që atë ta heshtim.
Mungesa e mesazhit si mesazh i shfaqjes na bënë të konstatojmë edhe njëherë se teatri jeton edhe në
vdekje, sepse ka kohën e vetë, këtë dhe shumëçka tjetër për ne dhe luftën na e tha drama “Trenat” e Haqif
Mulliqit që është inskenimi i tretë si shfaqje teatrore me regjisor Agim Selimi (në TKK) dhe vetë autorin
Haqif Mulliqi në teatrin “Bekim Fehmiu” në Prizren
Shkruan:Agron Gerguri