Shkruan:Nijazi Muhameid
Kur dëgjuam se në Redaksinë Shqipe të Televizionit të Maqedonisë, kryeredaktori i atëhershëm, Osman Shala, kishte pranuar në punë një vajzë nga Korça, u bëmë kureshtarë ta njihnim më nga afër, ndaj së bashku me Skënderin e ftuam në bufenë e Televizionit. Ndodhte për herë të parë që një vajzë nga Shqipëria vinte për të punuar tek ne. Dikur në Redaksinë e Gjuhës Shqipe ishte e rrezikshme të flisje për Shqipërinë, ndërsa në mes të viteve të 90-ta ndodhi që një vajzë nga ana tjetër e kufirit të Qafë -Thanës, të bëhej kolegia jonë. Ishte në moshën e pjekurisë, duhet t’i kish kaluar të tridhjetat. Binte në sy, kishte një pamje vërtet televizive. Quhem Merita Çoçoli-Sali, na u prezantua me ton hokatar, jam e martuar në Shkup.Nijazi Muhamedi, jam nga Tetova, unë jam Skënder Raufi, gjysëmkorçar, gjysëmshkupjan, u prezantuam ne. Ju njoh të dyve nga ekrani, na e ktheu ajo, sidomos Skënderin e mbaj mend që e vogël, kur jepte lajmet në gjuhën shqipe në TV të Jugosllavit, kështu i thoshim në Korçë, kanalit tuaj televiziv. I drejtonim antenat natën nga kufiri juaj për t’u parë fshehurazi, sepse në komunizëm ishte e ndaluar të shihje kanale të huaja. Je aktore me profesion apo jo, ju drejtova unë. Nuk të pëlqen të punosh në teatër? Teatri është dashuria ime e parë, m’u përgjigj ajo, por e kam konsumuar diku 9 vjet rrjesht me shfaqe të përnatëshme në skenën e Korçës e tërë Shqipërisë, në fabrika, në uzina, në kooperativa e tj. Në fakt dua të loz në teatër, ndonjëherë, sa për kënaqësi, por jo ta kem detyrim, ndaj vendosa ta provoj televizionin. E kam ëndërr të vjetër,më pëlqen të shkruaj, më pëlqen ekrani… Kështu filloi bashkëbisedimi dhe bashkëpunimi ynë i përhershëm, i cili vazhdon edhe sot pas 28 vjetësh… Merita pyeste për çdo gjë që lidhej me profesionin e gazetarit dhe ne ia ofruam përvojën tonë. Kishte vendosur të jetonte në Shkup, edhe pse bashkëshorti i saj punonte në Stamboll. Në një nga bisedat tona, më tregoi se Stambolli është vërtetë i madhërishëm, por gjatë atyre pak viteve që unë jetoja atje u mërzita shumë, ndaj u ktheva në atdheun e tim shoqi, në Shkup. Jam idealiste e pandreqshme, nuk është se jam aq e talentuar si grua shtëpie, por më pëlqen të punoj profesionin që dua, puna për mua është motiv për jetën, kotësia nuk më pëlqen. Menjëherë filloi të xhironte reportazhin, e më pas filmin dokumentar. Kishte përvojë në film, e sidomos në konceptimin dhe shkrimin e skenarit, sepse kishte lozur si aktore dhe kishte marrë pjesë në gjithë procesin e realizimit të mbi 8 filmave artistikë me metrazh të gjatë, në Kinostudion “Shqipëria e Re” në Tiranë, që nga sheshi i xhirimit dhe deri te sikronizimi. Përvoja e saj në ekran u duk qysh në xhirimet e para, mënyra si e kapte fototografinë, si e montonte, emocioni që përcillte, etj. Në redaksinë tone ishte e para profesioniste me diplomë universitare, në profilin e dramaturgjisë, (në Universitetin e Artit në atë kohë në Shqipëri, në degën e dramaturgjisë, përfshiheshin së bashku shumë lëndë: aktrimi, dikcioni, regjia, fimi, dokumentari, spikerimi, letërsia, muzika klasike, etj). Ajo tregonte se kishte pasur lëndë edhe stërvitjen ushtarake, se kishte bërë nga një muaj ushtri çdo fundviti, në shkollë të mesme dhe në universitet, se ndryshe nuk e merrnin diplomën. Na tregonte një anë tjetër të jetës në Shqipëri, që ne nuk e njihnim. Kufiri vazhdonte të ishte i mbyllur këtej nga ana jonë dhe ajo me shumë rrallë dhe vështirësi shkonte tek të afërmit e saj… Gjatë gjysmës së dytë të viteve të 90-ta, deri në fillim të fiteve 2000 realizuam së bashku disa dokumentare. Unë e këshilloja vazhdimisht dhe e ndihmoja të vendoste kontaktet, e mësoja si të hulumtonte temën, sepse ajo nuk e njihte terreninin në Maqedoni. Më dëgjonte për çdo gjë që i thosha, më respektonte dhe e respektoja, u bëmë miq të mirë, të tillë jemi edhe sot që po shkruaj këtë publicistikë për personalitetin e saj profesional. Do të veçoja nga bashkëpunimi ynë një dokumentarin ”Pritja” me temë nga kurbeti, ku flitej për pritjen e gjatë të grave, pritjen e dhimbshme të kthimit të burrave nga kurbeti, penelopat shqiptare, i quante ajo. Unë si redaktor sigurova gjithçka që duhej, përcaktova zonat e xhirimit si dhe njerëzit që do të ishin protogonistë, ndërsa Merita realizoi intervistat dhe bëri regjinë e dokumentarit. Në redaksinë tonë ishte hera e parë që u realizua një dokumentar i këtij formati, (gjatë tregimit pamjet u ilustruan me lojën e aktorëve), pra u realizua një dokumentar artistik. Ai film dokumentar preku plagën e kurbetit nga këndvështrimi femëror, përcolli shumë emocion dhe pati një impakt të madh te publiku… Është e gjatë lista e krijimeve të saj në Redaksinë Shqipe, ishte vërtetë një vajzë shumë punëtore, nuk kishte të ndalur, qëndronte me orar të zgjatur në TV. Ajo shumë shpejt u bë përfaqësuese e kulturës shqiptare. Ndiqte gati të gjitha ngjarjet kulturore të shqiptarëve. Shkrunte lajmin dhe informacionet nga kultura në edicionet informative të lajmeve, bënte reportazhe, si edhe filloi emisionin e përjavëshëm të kulturës me titullin “Event”, ku ishte autore dhe moderatore. Emision që zgjati mbi 20 vjet pa ndërprerje, që kapi shifrën e përafërsisht 1000 emisioneve, në studio dhe terren. E kishte si ushqim shpirtëror punën, nuk ishte ambicioze si qëllim në vetvete, aspak. Nuk jam vetëm unë që punoj kështu, ka edhe disa të tjerë, përgjigjej me toskërishten e saj, idealistët edhe pse demode janë pjesë e shoqërisë, vazhdonte me tonin e saj hokatar. Merita Çoçoli-Sali, ish-aktorja nga Korça, është padyshim një emër domethënës në jetën kulturore dhe artistike të shqiptarëve në Maqedoni, pra në kulturën shqiptare në përgjithësi. Praninë e saj në këtë fushë e ka shënuar me vlera dhe vepra krijuese kulturore e artistike për më shumë se katër dekada, përkatësisht: si gazetare, redaktore dhe moderatore në Televizionin e Maqedonisë, MRTV2, si skenariste dhe regjisore e dhjetra dokumentareve, për ngjarje dhe figura kulturore në Maqedoni, Shqipëri dhe diasporë, të shfaqura ose të transmetuara nga televizionet kombëtare në gjuhën shqipe e më gjerë, si edhe pjesëmarrëse në shumë festivale ndërkombëtare, së fundi edhe në ShBA në një festival në Nju-Jork, ku u vlerësua me kupën e festivalit, për dokumentarin “Matanë malit”. Prodhimtaria e saj televizive është vëllimore dhe ka tejkaluar të gjitha normat e punës në TV, si në numër edhe në minutazh. Ajo qëndronte deri vonë nëpër auditoret e TV-së, në zyrë, në montazhe, për të përpunuar xhirimet që sillte nga terreni. I lodhte kameramanët, i lodhte montazhierët, që gjithësesi e respektonin, e lodhte shumë edhe veten, por produkti final u jepte kënaqësi të gjithë pjesëmarësve të ekipit. Ajo gjithashtu për shumë vite xhiroi dhe dokumentoi gati të gjitha premierat teatrore, që jo vetëm u shfaqën në TV, por mbetën përgjithmonë në arkivin e kulturës profesioniste të shqiptarëve në Maqedoni. Promovoi shumë krijues të rinj, sidomos kineastët e parë, të cilët e hapën rrugën e pashkelur të kinemasë shqiptare në Maqedoni, renesancën e filmimit. Në gjithë procesin e zgjerimit të redaksisë shqipe nga 3 orë në 24 orë. Merita Çoçoli solli emisione të reja, organizoi përkthimin në shqip të filmave artistikë, si dhe titrimin e tyre. Gjatë periudhës 10 vjeçare kur ajo ishte redaktore përgjegjëse e dokumentarit, filmit artistik dhe teatrit. Futi në program përkthimin dhe komentimin e drejpërdrejtë në gjuhën shqipe të ngjarjeve të mëdha botërore, si ndarjen e çmimeve Oskar, Eurosongun dhe Koncertin e Vitit të Ri në Vjenë, të cilin çdo fillim viti e komentoi vetë me një artikulim gjuhësor të pasur dhe profesional, që nga viti 2002 deri në vitin 2022 në trasmetim të drjepërdrejtë. Pasi ndërpreu emisionin “Event”, filloi ciklin e emisioneve “Tv Arkiv”, ku shpalosi arkivin e redaksisë shqipe pas 50 vjetësh, (një ide e nisur nga Skënder Raufi). Gjatë emisionit ftoi në studio dëshmitarë dhe protagonistë të kohës, dhe jo vetëm. Bëri të trasmetueshme shiritat e vjetër të xhirimeve në teknologjinë dixhitale të kohës së sotme. Për 3 vjet rradhazi shfaqi premierat javore të diku 120 emisioneve “Tv arkiv”, ndërsa në studio u ftuan emrat e njohur të themeluesëve të redaksisë shqipe, Alush Kamberi, Luan Starova e të tjerë, që shfaqeshin në materialet arkivore, të cilët e treguan historinë dhe udhëtimin e redaksisë shqipe, si edhe të të gjithë kulturës shqiptare në Maqedoni. Në këto emisione ajo shkundi nga pëlhuri i harresës historinë e Programit Shqip në MTV2, duke lënë një dokumentacion, një thesar gjysëmshekullor të ekranit televiziv të shqiptarëve në Maqedoni. Nuk dua të ndalem dhe të flas për sfidat që Merita kaloi, për momomentet e hidhura që provoi, vetëm nga fakti i të qenët vajza e parë që erdhi nga Shqipëria të punonte në TV të Maqedonisë, por desha të tregoj paksa nga ajo që mbeti nga puna e saj e palodhur, pa u dorëzuar asnjëherë para barrierave. Merita Çoçoli-Sali, vajza nga Korça, para pak kohësh arriti moshën e pensionit dhe u largua nga televizioni, institucioni ku fitoi edhe një profesion tjetër, atë të gazetarisë, iku duke marrë me vehte respektin e publikut, miqësinë e disa mikeshave dhe miqve të mirë si dhe dhimbjen për miqtë e humbur, siç i quan ajo kolegët që u larguan nga kjo jetë. Kur i urova daljen në pension, (sepse unë vetë kam dalë prej kohësh), ajo më tha se, vazhdojnë të më pyesin njerëzit, mos je ajo aktorja nga Shqipëria, si duket nuk paskam bërë gjë gjithë këto vite në TV…Qeshëm të dy. Por, puna e saj nuk mbaron me kaq, Merita Çoçoli vazhdon të punojë në një tjetër institucion të rëndësishëm, që lidhet po me kulturën; në Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës Shqipe, në kabinetin e drejtorit, ku shkruan për faqen e agjencisë, si dhe mban kontaktet me mediet. Luan ndonjëherë në film dhe teatër dhe realizon projekte për filma dokumentarë, që investohen nga Agjencia e Filmit e RMV-së, filma që kryesisht shfaqen nëpër festivale ndërkombëtare. Vitet për të janë thjeshtë numra. Punon për të jetuar jetën, vazhdon të mendojë se jeta pa punë është një hiç. Një jetë e tërë e frytshme, një angazhim i suksesshëm. Ajo natyrshëm, zuri vendin e saj në fondin e trashëgimisë kulturore e artistike shqiptare, me interes të veçantë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Nijazi Muhamedi
gazetar-publicist-historian i kulturës
Ish – zëvendësdrejtor i përgjithshëm i MRTV-së